Altin Koruti rrëfen depërtimin e frymës erotike ose ndryshe seksuale të një balerini


U largua nga Shqipëria si djalosh që ende si kishte mbushur të 20-at, dhe u kthye në atdhe si balerin i talentuar, si një “Penetrues Shpirtrash”, siç titullohej shfaqja që solli në skenën shqiptare para tre vitesh.

Kjo vepër e pazakontë bazuar në vargjet e Rita Petros, me koreografinë moderne të Arian Sukniqit u përjetësua në skenë nga Altin Koruti me partneren e tij Aretina Noti.

Të dy këta balerinë janë pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar të Baletit në Athinë të cilët ia njohin sekretet profesionale njëri-tjetrit për të demonstruar si çift në një shfaqje ku shpirti dhe trupi bëhen një.

Ne e pyetem Altinin për të gjitha ndjenjat erotike që balerinët transmetojnë në skenë, për llojet e prekjeve dhe të puthjeve në skena të tilla dhe ai na i rrëfeu me gjuhën e artistit.

Në karrierën tënde si balerinë çfarë ndjesish veçon nga shfaqje të cilat shoqëria Shqiptare mund ti konsiderojë si të 'pazakonta?'

Nëse i referohem shfaqjes, “Penetrimi i Shpirtrave”, ajo erdhi natyrshëm në shoqërinë shqiptare, e cila nuk ishte mësuar të shohë në skenë koreografi të tilla. Vargjet e dala nga shpirti, mbase të krijuara në çaste idilike, të gërshetuara me koreografinë skenike, ofronin Muzën reale të ndërthurur me ndjenja dashurie dhe faji që herë pas here rrezikohet nga ndjenjat e ndaluara, thirrje dhe mëkati...

Si mund ta penetrosh një shpirt erotik ose ndryshe seksual?

Unë si balerinë gjithmonë penetrojë me anë të lëvizjeve, me gjuhën e trupit si edhe shprehitë e fytyrës.

Si e përjeton mbi skenë kënaqësinë e depërtimit në trupin femëror?

Kënaqësi të tilla më shoqërojnë në çdo shfaqje. Tek “Penetrimi i Shpirtrave” për shembull, gërshetimi i lëvizjeve, prekjeve, dhe shikimeve ishte në harmoni të plotë me vargjet sa emocionale aq edhe erotike.

Si do i përshkruaje femrat në shfaqjen e sexapeal-it të tyre skenik?

Femra është qenie e adhurueshme, aq më shumë balerinat. Me lëvizjet e tyre ato të sjellin afër Eros-in, të bukurën, të dëshirueshmen, të ndaluarën, por njëkohësisht të tregojnë edhe se çfarë është mëkati. Ndërsa aktorët, në një skenë baleti, janë zëri i lëvizjeve tona. Eh, ku ka më bukur se penetrimi i fjalëve në lëvizje.

Si ndiheni ju meshkujt kur shihni femra që puthen?

Puthjet janë gjithmonë të bukura pavarësisht nga marrësi apo dhënësi.

Dukeni si një mashkull me pasion të çmendur, që nuk druheni të shfaqni epshin publikisht. Çfarë është perverse në një shfaqje të tillë skenike?

Artisti nuk ka kufizime në lëvizje. Ashtu sikurse në jetë, ne aktrojmë në skenë. Perversiteti qëndron vetëm në mendjet e sëmura, ku vetëdija mposhtet nga epshi e mishi. Nuk di të kem pasur momente të tilla në skenë.

Në kuptimin artistik ku njësohen baleti dhe seksi?

Ajo që ndodhi në skenën tek “Penetrimi i shpirtrave” nuk kishte aspak lidhje me provokime seksuale. Koreografia është art dhe si i tillë duhet të perceptohet. Pastaj se si njerëzit e shijojnë artin kjo është një çështje personal e ndikuar nga eksperiencat.

Si do e përshkruaje tipin e mashkullit që ti përfaqëson?

Unë përfaqësoj mashkullin tipik, atë dashnorin e zjarrtë të zemrës, partnerin posedues, dhe melankolik të Don Zhuanit.

Si e trajton femrën tënde?

Në varësi të situatës, unë femrën e trajtoj si dashurinë e zemrës, si muzë të epshit, si gruan e jetës pa të cilën bota nuk ka kuptim.

A duhet t'i shërbejë trupi, shpirtit për arritjen e dashurisë sublime?

Dashuria sublime është klishe...Nuk e di a ekziston apo nëse ka formë reale. Them se dashuria duhet trajtuar si një filiz, të kujdesesh për të në çdo moment, në çdo detaj, edhe në çdo frymëmarrje. Shpirti dhe trupi janë një. Kur fillon ti trajtosh si të ndarë bëhen si dy qenie që jetojnë tek i njëjti person. Mendoj se trupi ushqen shpirtin, i cili mban në formë trupin.

Cili është qëndrimi yt për monogaminë apo poligaminë?

Perceptimi dhe këndvështrimi i këtyre formave shoqërore janë personal. Mendoj se qenia njerëzore është e prirur të kërkojë atë që nuk e ka, atë që i mungon, atë që ëndërron.

A ndihet I aftë mashkulli sot për të kënaqur veten edhe partneren e tij në maksimum?

Mashkulli dhe femra gjithmonë kane evoluar drejt të panjohurës dhe ndjenjave sa të pastra aq edhe tunduese. Nga eksperienca ime personale, kam kuptuar se femra dhe mashkulli duhet të jenë më mendje-hapur si edhe të komunikojnë pa dorashka me njëri-tjetrin. Sa më shumë ta njohësh gjysmën tënde më të më mirë aq më e lehtë është ta kënaqësh atë deri në çmenduri.

Nga Klotilda Harka


Recent Posts
2017 Elira Bregu Los Angeles CA USA